TIRANË, 21 shkurt 2013 – Në datën 28 shkurt, në Shkozet do të fillojë shpronësimi pronarëve të pasurive të paluajtshme, ku do të kalojë baj-pasi. Më 20 shkurt, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, Këshilli i Ministrave vendosi të shpronësojë pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “By-pass Shkozet, Durrës”. Sipas këtij vendimi, pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen në vlerë të plotë. Vlera e përgjithshme e shpronësimit arrin në 208 517 924 lekë.
Për objektet, që janë me leje ndërtimi, pronarët do të kompensohen, pasi të kenë dorëzuar pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor. Për ato në proces legalizimi, poseduesit e këtyre objekteve do të kompensohen në bazë të vendimit nr. 563, datë 3.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar. Për objektet me shënimin “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, pronarët do të kompensohen në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë të rifreskuar, të cilin do ta dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Vendimi parashikon që brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi (20 shkurt), Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, do të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe do të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës do të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.





