Mbetet ende e paqartë dinamika e ngjarjes më të të fundit të ndodhur në Durrës, ku eshte regjistruar një shkëmbim zjarri dhe një 25-vjeçar ka mbetur i plagosur. Siç shikohet edhe nga pamjet e siguruara nga “DurrësLajm”, ngjarja ka ndodhur në brendësi të një pallati.

Deri më tani raportohet për një konflikt midis dy personave, në lagjen nr 4 të qytetit. Ndërkohë që në vendngjarje ndodhet edhe policia dhe grupi hetimor.

“Më datë 22.03.2021, rreth orës 19:20, në lagjen nr.4, Durrës, dyshohet se pas një konflikti të çastit, është plagosur në dorë me armë zjarri shtetasi A. T., 25 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën”,– njoftoi policia

Policia ka identifikuar edhe autorin e krimit, ndërkohë që në vendngjarje kanë mbetur gjurmë gjaku.

“Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorit, shtetasit A.B”,– njofton policia.

Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës janë shoqëruar disa persona.

Ngjarja e sotme tronditi sërish opinionin publik në Durrës, pasi ajo ndodh vetëm dy ditë pas ekzekutimit të Edmond Koçit, i njohur edhe si Mond Çekiçi.