TIRANE, 21 shkurt 2013– Eriselda Gubere, studentja 21 vjeçare, njëra nga të mbijetuarat e tragjedisë së Himarës duke shprehur keqardhjen për “fatkeqësinë” që i ndodhi bashkëmoshatares së saj Florije Peci, gjatë një interviste për mediat, thotë se është e pamundur që shtatzënia të ketë ndodhur në spitalet Austriake. Gubere rrëfen se mjekët austriak kryenin vizita të shoqëruara nga 2 ose më shumë infermiere dhe cdo gjë ishte e kontrolluar dhe e vëzhguar. 

Shtatzënia e 22-vjeçares Florije Peci ka vënë në lëvizje prokurorët e Tiranës, të cilët kanë pyetur vajzën për rreth 2 orë mbrëmjen e djeshme në maternitetin “Mbretëresha Gerladinë”. Mësohet se 22-vjeçarja u është përgjigjur hetuesve, në praninë e një psikologeje për shkak se ajo shfaq probleme të rënda psikologjike që pas aksidentit tragjik të Himarës. 

Mësohet se motra e Florijes ka konfirmuar faktin se familja ka vendosur që vajza ta mbajë fëmijën, pavarësisht gjendjes së saj psikologjike. Erida Peci tha se familja nuk dyshon tek askush për përdhunimin. 

Rreth një javë më parë pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka mbërritur një kallëzim penal nga Gazmend Peci, vëllai i Flories, një nga vajzat që i mbijetoi aksidentit të Himarës në maj të vitit të kaluar, e cila për shkak të plagëve të marra u dërgua për kurim në Austri. Por pikërisht këtu ka ndodhur edhe çudia, sepse sipas vëllait të saj, gjatë kohës që Floria ka qenë në koma, me të është abuzuar seksualisht dhe ajo ka mbetur shtatzënë. 

Aksidenti i 21 majit, në vitin 2012, shkaktoi 13 viktima, mes tyre 11 studente. Dy prej tyre Florie Peci dhe Eriselda Gubere, mbijetuan duke ju dhënë një mundësi e dytë në jetë