TIRANE, 18 shkurt 2013 – Prokuroria e Tiranës nuk mund të kryejë hetime për çështjen “Florije”, pasi krimi i dyshuar është kryer në shtetin austriak dhe për këtë hetimet nuk mund të kryhen në shtetin shqiptar.
Mjekët e maternitetit të Tiranës thanë se nisja e shtatzanisë përputhet me kohën gjatë së cilës Florije ishte për kurim në Austri. Në rast se provohet se abuzimi është kryer në Austri, Kodi ynë Penal nuk lejon vazhdimin e hetimeve, citohet prokuroria nga AS televizion. Kjo pasi, sipas nenit 7, ligji penal është i zbatueshëm për shtetas të huaj që kryejnë vepra penale në dëm të shtetasve shqiptarë për raste si krime kundër njerëzimit, krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, apo akte terroriste e organizim të trafiqeve.
Ndërkohë që akuza e "kryerjes se marrëdhënieve seksuale me persona të pazotë për t'u mbrojtur", nuk përfshihet; çka do të thotë se në rast se konfirmohet pretendimi i familjes së Florijes, dosja do t'i përcillet autoriteteve në Austri. Në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur edhe dosja e policisë ku janë detajuar të dhënat e sistemit TIMS mbi daljen dhe hyrjen e 22-vjeçares në shtetin Shqiptar.
Ndërkohë është përfshirë dhe një letër e Interpolit shqiptar ku saktësohet vendndodhja e Florije Peçit dhe koha e qëndrimit në shtetin austriak. Pas kryerjes së këtyre veprimeve dhe në praninë e një psikologu, pritet të merret në pyetje edhe vetë 22-vjeçarja Florije Peçi.





