SUKTH, 18 shkurt 2013 – Një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë këpucësh në Sukth ka alarmuar banorët përreth në orët e vona të natës së të dielës. Shpërthimi është regjistruar rreth orës 00.30 minuta pas mesnatës në fabrikën e biznesmenit L.Alimadhi. Si pasojë e shpërthimit me lëndë plasëse janë verifikuar dëme materiale në godinë, kryesisht në çatinë e saj. Grupi hetimor ka arritur në përfundimin se eksplozivi është hedhur nga ambientet jashtë murit rrethues të fabrikës. Policia ende nuk ka mundur të identifikojë personat që e kryen këtë akt.
Edhe pse gjatë kohës së shpërthimit, në fabrikë kanë qenë punonjësit e sigurisë, nuk raportohet që këta të fundit të kenë pësuar lëndime. Pas marrjes së sinjalizimit për ngjarjen e ndodhur, në objektin që u bë pre e sulmit, kanë mbërritur efektivët e njësisë antieksploziv që kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e ngjarjes.
Zyrtarisht Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bëri të ditur, se persona ende të paidentifikuar kanë hedhur një sasi të konsiderueshme lëndë plasëse e dyshuar si tritol në pjesën e sipërme të çatisë së fabrikës, të cilës si pasojë e shpërthimit i janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Në komisariatin e policisë janë shoqëruar disa persona; punonjës të fabrikës dhe banorë të zonës, që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Edhe pse pronari i fabrikës L.Alimadhi është shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tij, mbi personat që dyshon se mund të kenë sulmuar fabrikën, apo mbi konfliktet e mundshme që mund të ketë, burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se deri tani kanë në dorë shumë pak elementë që mund të hedhin dritë mbi autorët e këtij akti apo arsyet që mund t’i kenë shtyrë të ndërmarrin një veprim të tillë.
Ndërkaq punonjësit e sigurisë së fabrikës kanë dëshmuar para grupit hetimor se nuk kanë konstatuar ndonjë lëvizje të dyshimtë gjatë shërbimit. Sipas policisë ky është rasti i parë që vendoset eksploziv në këtë fabrikë. Për grupin hetimor mbeten ende i paqartë motivi i vendosjes së eksplozivit, ndërkohë që po hetohet në disa pista, përfshirë dhe atë të konkurencës.





