TIRANË, 18 shkurt 2013 – Instituti i Shëndetit Publik jep alarmin për shtimin e rasteve të prekura nga gripi në vendin tonë, ndërsa apelon që qytetarët duhet të tregojnë kujdes për t’u mbrojtur nga virozat stinore. Gripi stimulohet edhe më shumë për shkak të temperaturave të ulëta të këtyre ditëve. Sipas ISHP-së, rreth 15 mijë raste me viroza gripale regjistrohen në javë në të gjithë Shqipërinë. 

Mjekët theksojnë se nuk ka vend për panik, por për kujdes, duke paralajmëruar shtim të rasteve në javët e fundit të shkurtit, madje edhe në javët e para të marsit. Në vend qarkullojnë viruset e gripit të tipit A dhe B. 

“Një pjesë e rasteve me grip janë të tipit B, ndërsa 30% me grip të tipit A. Nuk kemi ende situatë epidemike, 3000 raste më pak në krahasim me vitin e shkuar”,- thotë ISHP në një njoftim të sajin.