DURRES, 18 shkurt 2013 – Rëndohet ndjeshëm situata në Kodër Vilë. Fenomeni i erozionit, i cili është mjaft prezent në këtë zonë këto vitet e fundit, tashmë po rrezikon të nxjerrë jashtë funksionit të vetmen rrugë që lidh qytetin me kodrën duke rrezikuar të izolojë dhjetëra familje.
Në fotot e shkrepura paraditen e sotme duket mjaft qartë se një pjesë e mirë e rrugës që të çon drejt vilës së mbretit Zog është dëmtuar rëndë si pasojë e rrëshqitjes së dherave pas reshjeve të mbrëmshme. Situata rrezikon të përkeqësohet edhe më shumë në ditët në vijim. Një pjesë e asfaltit ka ceduar për shkak të rrëshqitjes së vazhdueshme të dherave nga faqja e kodrës dhe aktualisht lëvizja e automjeteve kryhet me vështirësi në këtë aks.
Një nga zonat më turistike të qytetit bregdetar rrezikon të dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme nëse ndërhyrja e pushtetit vendor dhe atij qendror do të vonojë. Banorët e kësaj zone jo pak herë e kanë ngritur zërin për rrezikun që u kanoset shtëpive dhe bizneseve të tyre, si dhe për indiferencën e treguar nga autoritetet për të ndërhyrë.
Nëse nuk ndërhyhet situata mund të bëhet edhe më problematike në këtë aks, në të cilin nuk është vënë dorë prej shumë vitesh. Prerja e pemëve dhe ndërtimet pa kriter të realizuara në këtë zonë kanë përshpejtuar veprimin e fenomenit të erozionit, i cili rrezikon edhe vilën e mbretit Zog, e cila vit pas viti thellon të çarat e krijuara në muret e saj.
Rrëshqitjet e dherave nga Kodër-Vila jo pak herë kanë sjellë bllokimin e rrugës që të çon në Currila, ku aktualisht në njërin krah të rrugës, atë ngjitur me kodrën automjetet kalojnë me vështirësi, për shkak të pirgjeve të dherave që kanë rënë mbi asfalt.
(m.l./AGJENCIA E LAJMEVE “DYRRAH”)





