GJERMANI, 16 shkurt 2013 – Kritikave të SHBA lidhur me 21 Janarin i është bashkuar edhe Roderich Kiesewetter, raportuesi i partisë më të madhe në Gjermani për Shqipërinë. Në një intervistë për Deutsche Welle, Kiesewetter citon se një çështje e tillë kërkon hetim, në një kohe kur Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian ose së paku të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

"Nuk i njoh në detaje rezultatet e hetimeve, por kur Prokuroria konstaton se bëhet fjalë për vepra penale të shkallës më të rëndë, pasi përndryshe nuk kërkohen 23 dhe 25 vite dënim dhe më pas vjen një vendim pafajësie, këtu lipset një hetim i veçantë.

Në Gjermani kjo do të çonte ne ngritjen e nje komisioni hetimor parlamentar, sepse ka paqartësi të medha për mënyrën sesi u arrit në këtë vendim. Po, e dëshirojmë një drejtësi të pavarur edhe në Shqipëri, por midis kërkesës për 23 dhe 25 vjet heqje lirie dhe shpalljes së pafajësisë ka një dallim gjigant, dallim i cili është i pakuptueshëm për vendet e Bashkimit që i duan të mirën Shqipërisë, e ku bën pjesë dhe Gjermania. Për këtë arsye mendoj se një çështje e tille kërkon hetim, aq më tepër ne nje kohë kur Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian ose së paku të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Besoj që këtu së paku duhet shmangur përshtypja se vendimi mund të jetë arritur në rrugë jo të ligjshme", tha Kiesewetter.

"Apeli im për përgjegjësit në Shqipëri është që të kujdesen bashkarisht për zbardhjen e ngjarjeve dhe të bëjnë reklamë për vendin jashtë", shprehet ai. "Blloku është i interesuar te dije përse u arrit ne këtë vendim,  pra duhen zbuluar të gjitha të dhënat dhe duhet të bëhet e qartë që drejtësia shqiptare ka interes në zgjidhjen e rasteve. Nuk lejohet të krijohet përshtypja që këtu mbulohen pazarllëqe. Nëse nuk kryhet kjo zbardhje e plotë, atëherë edhe të gjithë përkrahësit e statusit të kandidatit për Shqipërinë do të tërhiqen dhe do të thonë se Shqipërisë iu dashkërka më shumë kohë. Shpresoj që ky mesazh të kuptohet në Shqipëri dhe që Shqipëria ta mbledhë veten dhe t'i zgjidhë shpejt e pa vonesë në javët e ardhshme incidentet e 21 janarit", thuhet në deklaratë.