TIRANE, 15 shkurt 2013 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon 82 njësive vendore, të depozitojnë informacionin e kërkuar për zgjedhjet pranë këtij institucioni, teksa afati ka përfunduar. Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e KQZ-së, deklaroi se qarku më shqetësues është Elbasani me 16 njësi, i ndjekur nga Korça me 15 njësi, Fieri 13 dhe Kukësi 11 njësi. Ajo tha se do të ketë sanksione administrative.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën me dije se në zbatim të Kodit Zgjedhor për përgatitjen, organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, u ka kërkuar njësive të qeverisjes vendore dhe zyrave të gjendjeve civile pranë tyre, informacionet e nevojshme për publikimin e ekstraktit të përbërësve zgjedhorë si dhe caktimin e Qendrave të Votimit në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstaton me shqetësim se deri sot nuk kanë sjellë informacion për Qendrat e Votimit 82 njësi të qeverisjes vendore nga 383 njësi vendore në total. Tërheqim vëmendjen dhe i bëjmë thirrje kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore, të Bashkive dhe komunave, që sa më shpejt të depozitojnë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve informacionin e kërkuar.
Situata më shqetësuese paraqitet në Qarkun e Elbasanit me 16 njësi vendore, Korça me 15 njësi vendore, Fier me 13 njësi vendore, dhe Kukës me 11 njësi vendore. Nga 301 njësitë vendore që kanë sjellë informacion, 204 prej tyre kanë përmbushur detyrimet në përputhje me udhëzimin e KQZ-së Nr.1, datë 12.12.2012 “Për mënyrën e ngritjes dhe caktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit dhe përgatitjen e hartës së njësisë së qeverisjes vendore për zgjedhjet”, deklaroi ajo.





