FUSHË–KRUJË, 15 shkurt 2013– Qendra e Transferimit të Teknologjive Fushe Krujë ka nisur të kultivojë në rrugë eksperimentale një bimë të quajtur steva, 300 herë më e ëmbël se sheqeri, thanë burime nga kjo qendër. Interesi për rritjen e rendimentit dhe fitimit të fermave ka sjellë kultivimin e kulturave të reja bujqësore në Shqipëri.

Stevia, ose e quajtur dhe si bima e së ardhmes, ose dhe Bima Diabetike është bimë tipike sheqerore. Kjo bimë kultivohet për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit në gjethen e saj. Ajo është 300 herë më e ëmbël se sheqeri që përdoret sot. Bima e Stevias (Stevia rebaudiana) është një bimë shumëvjeçare, me origjinë nga Paraguai dhe kultivohet aktualisht në botë në 264 000 ha për prodhimin nga gjethet e saj të thara të sheqerit diabetik.

Bima kërkon klimë subtropikale, me reshje të shumta në vit, rritet në toka të lehta, pa lagështi dhe me kërkesa të moderuara për lëndë ushqyese. Mbillet me fidanë në muajin prill dhe gjethet korren në muajt gusht-shtator. Gjethet thahen në hije dhe më tej përpunohen. Jetëgjatësia në prodhim është mbi 5 vjet. Është bimë me leverdi ekonomike dhe është quajtur “ari i gjelbër”.