DURRES, 15 shkurt 2013– Prej tre ditësh 500 nxënës të shkollës së mesme të përgjithshme " 16 shtatori," në Shijak, kanë braktisur mësimin. Shkak është bërë zëvendësimi i ish drejtorit të shkollës, Ismet Kapidani, me drejtorin e ri Lutfi Duka. Ish drejtori Ismet Kapidani, i cili mbushi moshën për të dalë në pension, ka u dhënë lëndën e matematikës maturantëve, të cilët janë në prag të fillimit të procedurave të mbushjes së formularëve për provimet e maturës.
Senati i shkollës dhe nxënësit i kanë dërguar një peticion Drejtorisë Rajonale Arsimore Durrës, ku kërkojnë që ish drejtori Ismet Kapidani, të mos largohet nga shkolla tre muaj para mbylljes së vitit shkollor. Nxënësit pretendojnë se për lëndën e matematikës ai është shumë i rëndësishëm, ndërsa drejtori që është emëruar është profesor letërsie.
Aktualisht shkolla është krejtësisht e braktisur nga nxënësit. Mësuesit e këtij institucioni arsimor thonë për Agjencinë e Lajmeve “Dyrrah” se çdo mëngjes nxënësit paraqiten në shkollë, por nuk futen në mësim. Duket se nxënësit në këtë veprim të ndërmarrë prej tyre kanë edhe mbështetjen e prindërve, të cilët janë shprehur kundër largimit të drejtorit të shkollës dhe njëkohësisht mësuesit të matematikës për maturantët pak muaj nga mbyllja e vitit arsimor. Nxënësit janë shprehur se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre dhe janë në pritje të një përgjigje nga drejtoria arsimore.
Reagimi i DAR-it
Pas braktisjes së shkollës nga nxënësit e “16 shtatorit” ka ardhur edhe reagimi i Drejtorisë Rajonale Arsimore Durrës, Filip Gjonçi, kreu i arsimit në qytetin bregdetar tha se me nxënësit janë bërë palë edhe profesorët e tjerë të shkollës. Ai sqaroi se të martën e kësaj jave i është komunikuar drejtorit Ismet Kapidani, largimi nga detyra për shkak të mbushjes së moshës për pension dhe stafi pedagogjik është informuar për emërimin në këtë post të mësuesit Lutfi Duka.
“Nxënësit më ngritën si pretendim që të vazhdojnë të zhvillojnë lëndën e matematikës me të sepse është profesor i mirë. Ne vendosëm që ai të dalë në pension dhe të paguhet si i jashtëm për orët e mësimit, që do të japë në këtë lëndë. Nxënësit janë duke reaguar në mënyrë emocionale, por ne po zbatojmë anën ligjore. Është urdhër që në ditën që mbush moshën, të dalë në pension çdo punonjës. Tagri që kam më detyron që të shmangem anën ligjore të çështjes”,- tha Gjonçi.
Po ndërsa nxënësit vazhdojnë të braktisin mësimin megjithëse DAR ka ofruar këtë zgjidhje për ta, Gjonçi shprehet se ka marrë kontakte me stafin pedagogjik të shkollës së mesme dhe u ka tërhequr vëmendjen mësuesve që të mos bëhen palë në thyerjen e ligjit. Sipas Gjonçit, “orët e mësimit që janë humbur deri tani drejtori i ri dhe stafi pedagogjik kanë për detyrë t’i zëvendësojnë në ditët në vijim”.





