PESHKOPI, 15 shkurt 2013 – Zbardhen të tjera detaje nga vrasja që tronditi Peshkopinë mëngjesin e sotëm. Një 67 vjeçare është vrarë nga nusja e vet dhe më pas është groposur në kasollen e lopës me ndihmën e nuses tjetër. Ngjarja e rëndë u zbulua sot në fshatin Hatesh të rrethit të Peshkopisë.
Siç raportojnë burime nga grupi hetimor nusja e shtëpisë, Xhemile Skuka, 30-vjeç, fillimisht e ka goditur me mjete të forta vjehrrën, më pas e ka lidhur me litar duke vazhduar ta godasë derisa i ka shkaktuar vdekjen. Ndërkohë pas kryerjes së autopsisë, mjekët ligjorë kanë konstatuar se përveç vrasjes me sende të forta, të moshuarës i është derdhur në vesh vaj i nxehtë. Viktima Naime Skuka jetonte vetëm me dy nuset, pasi të dy djemtë ishin emigrantë.
Naime Skuka ka qëndruar për tre ditë e groposur në kasollen e bagëtive.
Vrasja ka ndodhur tre ditë më parë në banesën e përbashkët në fshatin Hatesh, ndërsa policia është vënë në dijeni vetëm ditën e sotme nga fqinjët, të cilët kanë ndier erën e keqe që vinte nga kasollja e bagëtive.
Nusja 30 vjeçare është vetëdorëzuar, duke marrë përsipër krimin. Ajo ka rrëfyer në polici se fillimisht e ka qëlluar për vdekje me mjete të forta vjehrrën, e më pas me ndihmën e kunatës, Hike Skuka 23 vjeçe, e kanë groposur në kasollen e bagëtive.
Sherret mes nuses dhe vjehrrës vijonin prej kohësh dhe mendohet se shkak i grindjeve ishin bërë paratë, që dërgoheshin nga djali i 67 vjeçares nga emigracioni.





