TIRANË, 15 shkurt 2013 – Tani Fakulteti i Mjekësisë është shndërruar në Universitet dhe rektori i tij i parë është një durrsake. Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, gjatë një takimi më 14 shkurt 2013, prezantoi rektoren e Universitetit të Mjekësisë Jera Kruja. Sipas kreut të Ekzekutivit, rektorja Jera Kruja është një nga studentet e shkëlqyera, një nga mjeket e talentuara, një studiuese shumë e mirë e Fakultetit të Mjekësisë, në katedrën e Neurologjisë dhe spitalit.

“Por përse Jera? Si një nderim i madh gjithashtu për të gjitha ato vajza e gra, të cilat që në ditët e para të këtij sistemi kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e tij dhe pa diskutim me përkushtimin e tyre e kanë bërë këtë sistem edhe më human, edhe më të ndjeshëm, edhe më të përgjegjshëm. Unë kam shumë kënaqësi që, edhe për këtë arsye, rektorja e parë e Universitetit të Mjekësisë është Jera Kruja, një mjekje e studiuese e shquar e Fakultetit të Mjekësisë”, tha Kryeministri Sali Berisha.

Rektorja e të parit Universitet të Mjekësisë në Shqipëri është nga Durrësi, vajza e intelektualit të nderuar, Pertef Kruja, përkthyes i njohur, mësues i letërsisë në gjimnaz, shkrimtar dhe drejtor i bibliotekës së qytetit të Durrësit. Jera Kruja arsimin e plotë parauniversitar e ka përfunduar në qytetin e lindjes në Durrës. Ka qenë një nga nxënëset e shkëlqyera, që ecte në gjurmët e të atit, të diplomuar në Itali gjatë Luftës së II Botërore.

(th.m./Agjencia e lajmeve “Dyrrah”)