GJIROKASTER– Një sasi e madhe droge është kapur sot nga Policia mes Greqisë dhe Shqipërisë. Lajmi bëhet i ditur nga burimet zyrtare që kanë thënë se policia ka sekuestruar 242 kg lëndë narkotike.

Droga mësohet se është kapur në afërsi të kufirit grek. Lënda narkotike u sekuestrua në një automjet në Delvinaq, midis Gjirokastrës dhe Janinës.

Makina me lëndën narkotike drejtohej nga një shtetas grek 45-vjeçar. Lënda narkotike ishte fshehur në kabinën e pasagjerit dhe në bagazhin e automjetit, teksa ishte paketuar me thasë të zinj plasmasi.

Sipas policisë, lënda narkotike ishte transportuar me krahë deri në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë e më pas i ishte dorëzuar shtetasit grek, ku destinacion kishte Athinën.

Policia ka vënë në pranga poseduesin e lëndës narkotike, ndërsa ka nisur hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë trafik.