TIRANE, 14 shkurt 2013 – Në një deklaratë publike, vetëm një ditë pasi gjyqësori mori dy vendime, atë të "21 janarit" dhe "Gërdecit", Unioni i Gjyqtarëve kërkon që askush të mos komentojë vendimet e gjykatave. Unioni i Gjyqtarëve e konsideron këtë veprim “një goditje që i jepet besimit të publikut tek drejtësia, duke paragjykuar procesin”.
"Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë gjen rastin të informojë edhe një herë opinionin publik se vendimet e gjykatave, kur përfundon shqyrtimi i tyre në të gjitha shkallët e gjykimit, mund të jenë objekt analize objektive, profesionale, veçanërisht nga njohës së të drejtës.
Por nëse ky proces zëvendësohet, fatalisht dhe në mënyrë populiste, në një fushatë denigrimi dhe përbaltje, kjo rrezikon të shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme shanset për ndërtimin e besimit të publikut tek drejtësia, pa të cilin aspiratat për ndërtimin e konsolidimin e shtetit të së drejtës do të ishte iluzion.
Gjithashtu kjo do të delegjitimonte punën e vështirë të gjyqtarëve, të cilët çdo ditë e më tepër po përballen me dhunën fizike e verbale të frymëzuar nga kjo klimë. Konsolidimi i sistemit të drejtësisë dhe rritja e besimit të publikut tek ai është një proces që kërkon vizion dhe gjithë përfshirje",- thuhet në deklaratë.





