NEW YORK – Anija luksoze “Carnival Triumph” ka mbetur një javë pa lëvizur në ujërat e gjirit të Meksikës pas një zjarri që përfshiu e motorët e mjetit lundrues.
Mediat amerikane raportojnë se në anije mbretëron një gjendje kaosi për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Në të njëjtën kohë në anije shumë pak banjo funksionojnë, ndërkohë që e njëjta gjë ndodh edhe me dushet dhe kondicionerët. Turistët-udhëtarë presin nga katër orë në resht për ushqim, ndërsa janë regjistruar edhe përleshjet e para mes tyre.
Përshkrimet e dëshmitarëve nga kjo anije janë dramatike: Turistët flenë jashtë kabinave, ku gjendja është e padurueshme. Një nga turistët, në një komunikim me CNN u shpreh: Nuk dua të vdes. Deklaratë kjo që tregon për kushtet aspak të zakonshme me të cilat po përballen turistët që kishin ndërmarrë një udhëtim luksi me krocerën “Carnival Triumph”. Në krocerë ndodhen 3.143 pasagjerë dhe 1.086 anëtarë ekuipazhi.
Një anije tjetër, që i takon kompanisë Carnival Legend i ka dalë në ndihmë anijes Triumph, vetëm me ushqime dhe rezerva.
Anija do të duhej të arrinte në brigjet e SHBA-së të enjten. Udhëtarët do të marrin edhe nga një talon për udhëtim të ardhshëm, në vlerën e këtij udhëtimi që u shkoi huq. Po kjo kompani është pronare edhe e kryqëzorit “Costa Concordia”, që u përplas në bregdetin italian vitin e shkuar dhe ku u regjistruan viktima në njerëz.





