SHBA, 13 shkurt 2013 – Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të nisin bisedimet formale për një marrëveshje të tregëtisë së lirë, duke i hapur rrugë marrëveshjes më të madhe tregtare të këtij lloji në histori.
Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, ishte ai që komunikoi nisjen e bisedimeve, pak pas fjalimit të presidentit Barack Obama, në fjalimin e tij të përvitshëm adresuar kombit.
Kjo marrëveshje synon të heqë pengesat doganore dhe tatimet e tjera të lidhura me import-eksportet e ndërsjellta, midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
Në vitin 2012, niveli i shkëmbimeve tregëtare midis SHBA-ve dhe 27 vendeve anëtare të BE-së arriti nivelin e 455 miliardë eurove.
Në fjalimin e tij mbi gjendjen e kombit, Obama theksoi se marrëveshja e mundshme me Brukselin do të “inkurajojë eksportet amerikane, duke rritur punësimin në vend, duke shtruar rrugën e rritjes ekonomike”.
Sipas Obamës, kjo marrëveshje do të bëjë të mundur që SHBA dhe BE të konkurrojnë më mirë me tregjet aziatike në rritje.
Sipas vlerësimeve të Bashkimit Europian, firmosja e kësaj marrëveshje do t’i japë ekonomisë një rritje të përvitshme prej 0,5 të Prodhimit të Brendshëm Bruto, mesatarisht, në secilin prej vendeve anëtare.