DURRES, 11 shkurt 2013– Tre femra kanë denoncuar pranë komisariatit të policisë Durrës prindërit apo bashkëjetuesit e tyre për shkak se kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tyre.
Në një komunikatë të saj Drejtoria e Policisë së Durrësit bën të ditur se gjatë këtyre ditëve janë paraqitur pranë organeve të rendit 3 femra të cilat kanë akuzuar familjarët apo partnerët e tyre për ushtrim dhune. Një 18 vjeçare ka denoncuar pranë komisariatit të Durrësit babain e saj 47 vjeçarin B.M., pasi sipas saj ky i fundit ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj dhe për këtë adoleshentja ka kërkuar lëshimin e urdhërit të mbrojtjes.
E ndërsa deri tani rastet më të shumta të dhunës në familje kanë qenë mes bashkëshortëve ose djemve që rrahin prindërit e tyre, ka nisur të konstatohet si fenomen i ri denoncimi i fëmijëve, sidomos vajzave, kundrejt prindërve të tyre.
Ndërkohë dy raste të tjera të grave të dhunuara nga partnerët e tyre janë regjistruar këto ditë. Një 20 vjeçare dhe një 37 vjeçare kanë deklaruar pranë efektivëve të policisë se janë dhunuar nga bashkëshortët e tyre përkatësisht shtetasit me iniciale D.H., 23 vjeç dhe P.D., 41 vjeç.
Gjatë vitit të kaluar dhe në dy muajt e parë të këtij viti është vënë re një tendencë në rritje e numrit të denoncimeve për ushtrim dhune në familje. Burime nga drejtoria e policisë së Durrësit konfimojnë se më shumë sesa shtim i numrit të dhunimeve bëhet fjalë për rritjen e ndërgjegjësimit të personave të dhunuar, kryesisht femrave, për të denoncuar dhunuesit e tyre.
(m.b./ AGJENSIA E LAJMEVE "DYRRAH"





