TIRANE- Menduam se do e gjejmë sërish në të njëjtën banesë. Dëshira për të kuptuar ndjesitë e saj pas vendimit të gjykatës na bëri që të shkojmë te pallati, i cili ndodhet diku në qendër të kryeqytetit. Para një viti, Klodi Llupo, bashkëshortja e gardistit i cili sapo ka fituar lirinë, jetonte së bashku me dy fëmijët e saj të vegjël në një ndërtesë, diku në afërsi të Rrugës së Elbasanit. Por sot kjo banesë nuk është më pjesë e jetës së saj. Apartamenti, i cili ndodhet në katin e parë, duket se është "braktisur" nga familja Llupo. Dritaret, të cilat bien nga të dy krahët e rrugës, janë të mbuluara nga grilat e mbyllura tërësisht. Ndërkohë që, edhe nëse troket te dera, askush nuk qëndron pas saj. 

Faktin që Klodi Llupo nuk jeton më në këtë apartament na e konfirmojnë edhe komshinjtë e saj. Sipas tyre, ajo ka pak kohë që ka ndërruar banesë. "Klodi nuk jeton më këtu. Ka pak që e ka ndryshuar shtëpinë", – na thotë një prej banorëve të lagjes. Gjithashtu, ai tregohet i gatshëm për të na treguar edhe banesën e saj të re, e cila sipas tij ndodhet pak a shumë në të njëjtën zonë. Por, edhe pse u munduam të gjejmë banesën e re, e cila sipas komshiut ndodhet sërish në një pallat të ndërtuar shumë vite më parë, nuk arritëm dot të kontaktojmë me bashkëshorten e gardistit. Rreth një vit më parë, Klodi, e kontaktuar nga "GSH" deklaroi se "kapitulli i 21 janarit" ishte mbyllur për të. Me lot në sy, ajo u shpreh se ankthi i përjetuar ditët e para pas ngjarjes, e ngarkonte jashtëzakonisht shumë emocionalisht. 

Ngjarja

Agim Llupo, u akuzua për vrasjen e Ziver Veizit në demonstratën e 21 janarit 2011. Ai u vu në pranga me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, pasi nga hetimet rezultoi se gjatë demonstratës së dhunshme, qëlloi me armën e shërbimit duke lënë të vrarë Veizin. Ndërkohë që, pas një procesi të gjatë gjyqësor, në datën 7 shkurt Gjykata e Tiranës e shpalli Agim Llupon të pafajshëm, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm.