Savona – Është ndaluar një ditë më parë në Francë 23 vjeçari shqiptar, Arjan Quku, për të cilin ishte lëshuar një mandat arresti ndërkombëtar, pasi akuzohet për vrasjen e artizanit Roberto Siri, i vrarë në 2 shkurt të vitit 2008.

Policia italiane bën të ditur se më në fund është bërë e mundur prangosja e të fundit të akuzuar për vrasjen e Sirit, i cili u rrah për vdekje 5 vjet më parë para spitalit Cairo Montenotte, në Savona, Itali.

Quku do t’i nënshtrohet analizës së ADN-së dhe analizimit të gjurmëve të gishtave për të konfirmuar plotësisht identitetin e tij.  I riu shqiptar do të ekstradohet në ditët në vijim nga Franca drejt Italisë, ku është dënuar me burgim të përjetshëm.

Së bashku me të janë dënuar dhe tre të rinj të tjerë, dy prej të cilëve shqiptarë. Gjykata i konsideroi fajtorë për vdekjen e Sirit dhe i dënoi përkatësisht me 21, 16 dhe 12 vjet burg të rinjtë Samuel Costa, Orges Goxhaj dhe Ervin Zela.