DURRES – Në harkun kohor të 24 orëve të fundit efektivët e komisariatit të policisë së Durrësit kanë prangosur 3 shtetas. Burime zyrtare të policisë së qytetit bregdetar bëjnë të ditur se është ndaluar shtetasi Edmond Ftoi, 34 vjeç, banues në lagjen nr.14 Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim. Gjykata e Durrësit, me një vendim të sajin datë 24.11.2010 e kishte dënuar në mungesë Ftoin me 8 muaj burg për veprën penale të mësipërme. Që nga ajo kohë 34 vjeçari ishte shpallur në kërkim dhe tashmë do t’i duhet të vuajë periudhën e burgimit sipas vendimit të gjykatës.
Ndërkohë në kuadër të masave dhe aksioneve që po zbaton policia e Durrësit për të ndaluar të gjithë ata shtetas që në mënyrë të kundërligjshme mbajnë armë luftarake pa leje janë arrestuar në flagrancë mbrëmjen e së shtunës dy shtetas nga fshati Bizë i komunës Ishëm. Policia njofton se pas kontrollit të ushtruar në shtëpitë e këtyre shtetasve janë gjetur armë luftarake pushkë teke dhe automatik model 56. Në pranga kanë përfunduar shtetasit Shyqyri Alla, 44 vjeç dhe Mikel Cerri, 47 vjeç, të dy nga fshati Bizë, Ishëm.
Mbi këta shtetas rëndon akuza “armëmbajtje pa leje”. Armët e gjetura në shtëpitë e tyre janë sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale dhe materialet në ngarkim të këtyre personave i kanë kaluar Prokurorisë së Durrësit për ndjekje të mëtejshme.





