TEPELENE – Zbardhet vrasja e çobanit 52-vjeçar në Tepelenë. Policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me policinë e Tepelenës pas hetimeve të bëra mbi ngjarjen në fjalë zbuloi se vrasja është kryer aksidentalisht nga një çoban 16-vjeçar, që ruante bagëtinë së bashku me viktimën, i cili është prangosur sot.
Hasan Cela, 16 vjeç është vënë në pranga si autori i vrasjes së Bilbil Cjapit, 52-vjeçar. Sipas dëshmisë së adoleshentit, i cili është djali i pronarit të bagëtive që ruante Cjapi ai ka qenë duke luajtur me çifte kur aksidentalisht ka shkrepur armën dhe ka vënë re që çobani 52 vjeçar ka rënë pa ndjenja. 16-vjeçari është larguar me shpejtësi nga frika dhe ka lajmëruar prindërit, e më pas është bërë njoftimi i policisë.
Mesditën e djeshme, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Levan të rrethit të Tepelenës u gjet trupi i pajetë i Bilbil Cjapit. Sipas burimeve nga policia lokale, kufoma e viktimës u gjet nga pronari i bagëtive, Hetem Çela dhe djali i këtij të fundit, Hasan Cela. Pas këqyrjes së kufomës, ekspertët kanë vënë re se çobani ishte qëlluar me çifte në gjoks dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme.





