DURRES – Zbulohet identiteti i kufomës së gjetur paraditen e sotme në bregdetin e Currilave. Identifikimi është bërë nga familjarët e të vdekurit, të cilët kanë konfirmuar se bëhej fjalë për shtetasin Shefik Hysa, 56 vjeç, nga fshati Shkozë, në Tiranë. Familjarët kanë bërë të ditur se i afërmi i tyre mungonte nga shtëpia prej rreth 2 muajsh. Ende nuk janë zbardhur arsyet që e shtynë 56 vjeçarin të vetmbytej, pasi sipas mjekësisë ligjore në trupin e tij nuk janë vënë re shenja dhune. Mendohet se ai ka humbur jetën rreth 28 orë më parë.

Paraditen e sotme në breg, afër lokal “Kështjella”, në Durrës u zbulua një kufomë e seksit mashkull, që nuk paraqiste një shkallë të lartë dekompozimi. Burri i gjetur i vdekur ishte rreth 164 cm i gjatë, me flokë të thinjura e të rëna përpara dhe mbante veshur një bluzë të zezë, e cila i është gjetur e mbështjellë në kokë. 

Ky është rasti i dytë brenda 3 ditëve që zbulohet një kufomë në qarkun e Durrësit. Paraditen e së enjtes u zbulua në një fshat në Fushë-Krujë në një kanal, kufoma e një mashkulli, që më pas rezultoi se ishte banor I lagjes nr.15 në Durrës.