ITALI– Policia italiane ka arrestuar 2 shqiptarë, të cilët akuzohen se trafikonin kokainë duke e fshehur në brendësi të kavanozave me oriz. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane të cilat raportojnë se në pranga kanë rënë dy vëllezër shqiptarë Agostin dhe Lekë Kodra. Ngjarja është regjistruar në Cortemaggiore, një qytezë pranë Piacencas në Itali, ndërsa dy vëllezërit me origjinë nga Shkodra ishin vënë nën hetim prej disa kohësh.

Policia italiane ndërhyri me një operacion blitz në shtëpinë e të arrestuarve, pasi pikasën që në apartamentin e vëllezërve Kodra u fut një përdorues droge. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë u gjetën 60 doza kokainë, 2400 euro, një peshore elektronike e precizonit të lartë si dhe një dorezë hekuri.

Ndërkohë një tjetër sasi droge u gjet e fshehur në një kavanoz të mbushur me oriz. Policia italiane gjatë një konference për shtyp deklaroi se droga e gjetur mes orizin ishte ende e pandarë dhe prej saj mund të përftoheshin 200-250 doza të tjera. Dy vëllezërit Kodra janë prangosur dhe janë dërguar në burgun e Piacencas.

Agostin dhe Lekë Kodra përkatësisht 34 vjeç dhe 25 vjeç, në qytezën e Cartemaggiores kishin krijuar një kompani ndërtimi dhe punonin si murator. Policia po vazhdon hetimet, pasi dyshohet se aktiviteti kryesor i tyre ishte tregtimi i drogës.