TIRANE – Një 66-vjeçar ra pre e një çifti hajdutësh, mbrëmjen e së shtunës në qendër të Tiranës, të cilët rrahën dhe i vodhën paratë e pensionit që ende nuk e kishte dorëzuar në shtëpi.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të së shtunës, kur i moshuari Ahmet B. ishte nisur për në shtëpi.

Në zonën prapa Pallatit të Kulturës në qendër të kryeqytetit, atij i është afruar një vajzë e re, e cila fillimisht ka nisur të bisedojë me të, më pas i ka ofruar seks.

Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, ajo i ka kërkuar 66-vjeçarit 5 mijë lekë të vjetër, që të kryente marrëdhënie seksuale me të dhe ai ka pranuar.

Në momentin kur kanë gjetur një vend të përshtatshëm, vajza ka sinjalizuar të dashurin e saj, i cili është shfaqur menjëherë në vendin ku ishte njoftuar dhe të dy bashkë kanë nisur të godasin të moshuarin.

Pasi e kanë rrëzuar në tokë, duke i shkaktuar plagë të lehta, të dy autorët i kanë vjedhur portofolin, ku sipas Policisë ai kishte 15 mijë lekë të rinj, paratë e pensionit të tij.

Vetëm pak minuta pasi kishin kryer vjedhjen, çifti është ndaluar nga shërbimet e Komisariatit Nr.1.

Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Tiranës, dy të arrestuarit janë Ina Sulejmani, 23 vjeç dhe Arbër Doko, 18 vjeç.

Atyre u është gjetur edhe portofoli që i kishin vjedhur me dhunë 66-vjeçarit, me të cilin është bërë edhe paraqitja për njohje dhe mësohet se ai i ka identifikuar të dy autorët e sulmit.

Çifti është marrë në pyetje nga oficerët e Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë, pasi dyshohet se mund të kenë kryer edhe vjedhje të tjera.