DURRES – Kur ka kaluar më shumë se një javë nga vrasja e kambistit durrsak Fatmir Kotarja, familjarët e tij shprehen të pakënaqur nga puna e bërë deri tani nga policia dhe prokuroria për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Haxhi Kotarja, vëllai i të ndjerit dhe dëshmitari okular në skenën e vrasjes së Fatmirit dhe grabitjes së 2.5 milion lekëve të rinj, shprehet për Durrëslajm.com se mosidentifikimi dhe kapja e autorëve e bën edhe më të rëndë situatën në familjen Kotarja, që humbi njeriun e saj të afërm.
Ndërsa ngjarja ndodhi në mes të ditës, në një lagje të banuar, Haxhiu shprehet se ndihet i zhgënjyer që autoritetet policore nuk kanë mundur ende të hedhin dritë mbi këtë ngjarje tragjike. Megjithëse policia e Durrësit ka shoqëruar në komisariat rreth 150 persona të cilët janë pyetur për ngjarjen, Haxhiu thotë se policia ende nuk ka një emër konkret lidhur me vrasjen e të vëllait. Dhimbjes për vëllain e vrarë para syve i shtohet edhe ankthi se sa më shumë ditë të kalojnë aq më e vështirë mund të bëhet prangosja e vrasësve të tij.
Sipas Haxhiut një skemë e ngjashme u ndoq prej grabitësve edhe në vitin 2000, kur vëllezërve Kotarja ju vodhën 5 milion lekë të rinj. Në atë kohë vetë vëllezërit e patën adresuar policinë tek tre personat që dyshonin se ishin autorët e grabitjes, por më vonë në pranga u vu një tjetër shtetas, që sipas Haxhiut nuk kishin lidhje me ngjarjen. Ai i trembet faktit se e njëjta gjë mund të përsëritet edhe tani dhe autorët e vrasjes së vëllait të tij do t’i shpëtojnë drejtësisë.
“Përsa kohë nuk janë kapur autorët dhimbja që ne ndjejmë si familje është më e madhe. Këtë e përforcon edhe më shumë fakti se ndihemi të kërcënuar dhe nuk mund të vazhdojmë të ushtrojmë aktivitetin tonë. Ne kërkojmë zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes dhe dërgimin e autorëve para drejtësisë. Vetëm kështu do të mund të jemi më të qetë”,- tha Haxhi Kotarja për Durrëslajm.com. Përveçse humbi të vëllanë, Haxhi Kotarja humbi njëkohësisht partnerin e biznesit. Që nga e diela tragjike e 27 janarit qepeni i pikës së këmbimit valutor në pronësi të dy vëllezërve Kotarja ka mbetur i mbyllur. I përlotur ai thotë se do ta ketë të vështirë të vazhdojë të punojë i vetëm, sepse mungesa e Fatmirit i rëndon.
Kanë kaluar tetë ditë nga vrasja e vëllait dhe ende policia nuk ka asnjë të ndaluar. Gjatë këtyre ditëve a keni menduar se kush mund të jenë autorët?
Nuk di se çfarë të them. Nuk e kam idenë se kush mund të jenë autorët, por deri sa ata të shëtisin të lirë ne ndihemi të kërcënuar dhe i trembemi një përsëritje të këtij rasti. Nuk është hera e parë që na ndodh një gjë e tillë. Kambistët kanë një punë të vështirë, pasi u duhet të qarkullojnë gjithmonë me para nëpër duar, në një kohë që grupet kriminale lulëzojnë ngado. Është e papranueshme që një gjë e tillë të ndodhë në mes të qytetit, në një kohë që lagja ishte tejet e populluar.
Ju thoni se nuk arritët të identifikonit autorët. A i kanë parë edhe të tjerë persona grabitësit?
Ngjarja ka ndodhur para syve të gjithë banorëve të lagjes. Atë ditë ishte kohë me diell dhe të gjithë kishin dalë në ballkone. Nga aty kanë parë të gjithë skenën, apo luftën si mund ta quaj unë. Unë besoj se ndonjëri prej tyre mund t’i ketë parë autorët gjatë kohës që janë larguar. Policia duhet të hetojë dhe të marrë në pyetje banorët, pasi diçka mund të dalë.
Ju thatë se është hera e dytë që grabiteni nga maskat…
Po kjo është hera e dytë, që unë dhe im vëlla, i cili tashmë nuk jeton, grabitemi nga persona të maskuar dhe me armë. Disa vite më parë, pikërisht në vitin 2000, tre persona të maskuar dhe të armatosur na grabitën në mëngjes herët pak metra larg shtëpisë. Kishim dalë si gjithnjë më vëllanë për punë dhe në momentin që po zbrisnim nga mjeti, tre persona më automatik në duar qëlluan në drejtim të mjetit. Kishim me vete 5 milion lekë, të cilat i kishin futur në bagazhin e makinës. Bagazhi nuk hapej kollaj, pasi ishte i prishur. Në pamundësi për të hapur bagazhin, autorët lanë në vendin e ngjarjes mjetin e tyre dhe u arratisën me makinën tonë, që kishte brenda edhe paratë.
Po pastaj çfarë u bë?
Nuk u bë asgjë. Pavarësisht se autorët mund të ishin identifikuar fare kollaj nga policia, pasi ata lanë në vendin e ngjarjes mjetin me të cilin kishin ardhur për të kryer vjedhjen, policia nuk i zbuloi, duke i lënë që të shëtisnin dhe bënin qejf me paratë e vjedhura. Asokohe policia arrestoi një tjetër person për vjedhjen, i cili nuk kishte të bënte fare me të. Ai ka vuajtur për një krim që se kishte kryer kurrë. Edhe policisë i thashë që nuk është ky personi që më ka grabiti, por ata vijonin t’i mëshonin faktit që përpara kishin autorin.
Po armën e mbanit gjithnjë me vete?
Po. Që pas grabitjes së parë ne nuk lëviznim pa armë. E mbanim gjithmonë, sepse qarkullonim me para dhe i druheshim një grabitjeje të tillë.
Çfarë ju ka thënë policia në lidhje me hetimet?
Nuk kam komunikuar shumë me policinë, por më bënë të ditur se po vijojnë me hetime intensive. Kërkoj që policia të intensifikojë edhe më shumë punën për kapjen e tyre, pasi duke qenë të lirë, po përgatisin ndonjë tjetër goditje. Duhet të kapen para se t’i marrin jetën dikujt tjetër.





