ITALI– Një shqiptar është vënë në pranga sepse ka tentuar të vrasë ish të dashurën e tij. 28 vjeçari shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, pas një grindjeje me një vajzë 22 vjeçare me të cilën bashkëjetonte ka thyer një shishe dhe e ka prerë në fyt vajzën.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane të cilat raportojnë se karabinierët e vendit fqinjë kanë ndaluar një të ri shqiptar me akuzën “tentativë vrasjeje”. E dashura e shqiptarit, një 22 vjeçare me origjinë serbe, nuk ka dashur ta vazhdojë më lidhjen dhe këtë ia ka bërë të ditur edhe të riut.

Por duket se dëshira e vajzës për t’u ndarë e ka acaruar shqiptarin, që pa e menduar dy herë ka thyer një shishe që mbante në dorë, e me të ka tentuar të therë të dashurën.

Pasi e ka lënë të plagosur, është larguar nga shtëpia, ndërkohë që vajza ka marrë ndihmën e parë në spitalin Acquaviva. Mjekët kanë deklaruar se plagët do t’i mbyllen brenda 10 ditëve. Karabinierët që kanë marrë dëshminë e vajzës së re janë vënë në ndjekje të të riut shqiptar, të cilin, pasi e kanë gjetur në një lokal, i kanë vënë prangat.