TIRANE – Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, ditën e nesërme do të zhvillojë takime me krerët e politikës për një mundësi të fundit për miratimin e tre ligjeve. Komisioneri Fyle do të bëjë një përpjekje personale për të çuar drejt kompromisit shumicën dhe opozitën në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë një shans për të marrë statusin kandidat në muajin qershor.

Takimet e para të ditës së nesërme, Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, do t’i ketë me Ambasadorin e BE-së Ettore Sequi dhe Ambasadorin e OSBE-së, Eugen Wollfarth. Më pas në orën 10:45, Fyle do të zhvillojë një takim me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, kurse në orën 12:05 pritet të takohet me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Pas takimit me Berishën dhe Ramën, Stefan Fyle, do takohet me Presidentin Bujar Nishani. Vizita e tij këtë herë ka vetëm një objektiv, të mund të zgjidhë ngërçin që ka mbajtur të bllokuar avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit Europian.

Sipas Komisionerit Fyle, Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tri reformat në mënyrë që komisioni t’i paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare. Tetorin e kaluar, komisioni i rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil.