TIRANE – Nëpërmjet një deklarate për mediat Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet kundërshton zbatimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Plavë-Gucisë në Mal të Zi, që synon ndarjen e kësaj komune dhe krijimin e komunës së Gucisë. Sipas PDIU-së kjo ndarje do të minimizojë peshën politike të komunitetit shqiptar. 

“Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet kundërshton vënien në jetë të vendimit të Kuvendit Komunal të Plavë-Gucisë në Mal të Zi që synon ndarjen e kësaj komune dhe krijimin e komunës së Gucisë. Nëse zbatohet ky vendim komuniteti i vogël shqiptar që ka mbijetuar në trojet e veta edhe pas emigracionit dhe asimilimit masiv do të përçahet në dy njësi administrative dhe pesha politike e tij do të minimizohet dramatikisht. Prandaj PDIU shpreh solidaritetin me organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestës popullore të datës 1 shkurt të cilët dolën para Kuvendit komunal të Plavës për të kundërshtuar copëtimin e komunës Plavë-Guci”, thuhet në deklaratë. 

PDIU ndër të tjera, u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë shqiptarë që të kthejnë vëmendjen tek bashkombasit tanë në krahinën e Plavë-Gucisë dhe të japin mbështetje të pakufizuar që ata të gëzojnë liritë dhe të drejtat e tyre. 

Sipas PDIU, ndërtimi i një rruge të re të kombit Deçan-Plavë-Guci-Vermosh-Shkodër do i nxjerrë shqiptarët e kësaj krahine nga izolimi njëshekullor, do të sjellë zhvillimin ekonomik dhe do i vërë fre vazhdimit të braktisjes së identitetit kombëtar shqiptar dhe largimit të mëtejshëm prej këtyre trojeve të trungut tonë etnik.