Sot është edhe dita e fundit për këtë javë e fushatës së vaksinimit të mësuesve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme për shkollat e Bashkisë Durrës.

“DurrësLajm” mëson nga burime zyrtare se përgjatë fundjavës dhe të hënës së javës tjetër, do të bëhet vaksinimi i arsimtarëve të institucioneve arsimore të Bashkisë Shijak, pranë ambienteve të posaçme të ngritura në shkollën “Jan Kukuzeli” në qytetin bregdetar.

Pas vendimit të EMA-s një ditë më parë për lejimin e përdorimit të e vaksinës AstraZeneca, shumë nga drejtuesit e shkollave kanë kontaktuar Zyrën Arsimore dhe DAR për të konfirmuar shtimin e mësuesve për t’u vaksinuar, të cilët më herët kishin refuzuar për shkak të pasigurisë.

Për këta të fundit do të nisë vaksinimi prej ditës së martë të javës së ardhshme dhe pas tyre pritet të përfshihen në fushatë për të marrë dozën e parë të vaksinës edhe 550 mësues të shkollave private në Durrës.

Burimet zyrtare konfirmojnë se janë kontaktuar drejtuesit e shkollave jopublike për të bërë listat e mësuesve që pritet të vaksinohen javën e ardhshme.

Drejtoresha e ZVA Durrës, Jonida Matohiti konfrimon për “DurrësLajm”, se në raste të rralla vaksina ka shkaktuar efekte anësore si dhimbje koke apo temperature një ditore, por pas 24 orëve mësuesit janë rikthyer normalisht në shkollë për të vijuar procesin mësimor.

Nga 16 marsi kur nisi vaksinimi, 800 nga 1600 mësues të arsimit parauniveristar në Durrës patën shprehur gatishmërinë për të marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca, ndonëse në shumë vende të botës u ndalua përdorimi i saj për pak ditë.