DURRËS – Katër persona kanë përfunduar në pranga nën akuzën e korrupsionit, ndërkohë që një tjetër po procedohet në gjendje të lirë. Në kuadër të operacionit “Batica 2”, policia e Durrësit ka arrestuar mbrëmjen e së premtes 4 shtetas nga Durrësi, një prej të cilëve është punonjës i bashkisë së qytetit bregdetar.
Në pranga kanë përfunduar shtetasit Engjëll Taullai, me detyrë shofer pranë bashkisë Durrës, Dhimitër Maxhari, 45 vjeç, përfaqësues i një firme ndërtimi, Onjel Take, 36 vjeç, i punësuar në sektorin privat dhe Pelivan Merkaj, 57 vjeç, të gjithë me banim në Durrës.
Ndërkohë në gjendje të lirë po ndiqet specialistja e zyrës së shërbimeve pranë pushtetit vendor, 49 vjeçarja Diana Mandia. Sipas policisë të gjithë këta shtetas bashkëpunonin njëri me tjetrin për të paraqitur pranë zyrës së shërbimeve dokumenta fiktive për vetë apo për persona të tjerë, për të përfituar më pas kredi të buta dhe strehim në banesat sociale të ndërtuara nga bashkia e Durrësit këto dy vitet e fundit.
Prokuroria e Durrësit bën të ditur se i ka nisur hetimet për këta shtetas rreth 3 muaj më parë, pas denoncimeve të bëra nga qytetarë të ndryshëm, të cilëve shtetasit e mësipërm u kërkonin shuma të konsiderueshme në këmbim të premtimit se do të përfitonin banesa sociale. Pasi i ka hetuar për rreth 3 muaj me rradhë, prokuroria ka mbledhur provat e nevojshme për t’i akuzuar të ndaluarit për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndërkohë përsa i përket shtetases Diana Mandia gjykata e Durrësit ka vendosur “detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore dhe pezullim të ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”. Mandia po hetohet si e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".
Duke përfituar nga detyra që mbante si shofer pranë pushtetit lokal të Durrësit shoferi Engjëll Taullai u garantonte 3 sekserëve lehtësi për pranimin e dokumentacionit dhe favorizim në përfshirjen e emrave të personave të ndryshëm në listat e hartuara nga pushteti vendor për të përfituar banesa sociale. Prej rreth 2 vitesh 126 apartamente sociale në qytetin e Durrësit kanë mbetur pa u shpërndarë, pasi anëtarët e këshillit bashkiak nuk kanë arritur konsensusin e nevojshëm për të miratuar listën me emrat e përfituesve të këtyre apartamenteve.
Ndërkohë pas interesimit të Durreslajm.com lidhur me reagimin e tij për arrestimin e një punonjësi të institucionit që ai drejton dhe ndjekjen penale në gjendje të lirë të specialistes së zyrës së shërbimeve në bashki, kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se nuk kishte dijeni për gjithçka kishte ndodhur dhe do të reagonte zyrtarisht ditën e hënë kur të kthehej në zyrë.





