SHKODËR – Forcat e policisë së Shkodrës arrestuan një person shumë të kërkuar, i dënuar me 25 vite burg për trafik klandestinësh.
Burime zyrtare nga policia e Shkodrës thanë se në kuadër të operacionit të koduar "Fillim Shkurti", strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me strukturat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, bënë të mundur kapjen e personit të shumëkërkuar, Zef Marku.
Sipas të njëjtit burim, 52 vjeçari Zef Marku, banues në qytetin e Shkodrës, është dënuar me 25 vjet heqje lirie për veprën penale të "trafikim i qenieve njerëzore".
Policia bën të ditur gjithashtu se dënimi për këtë shtetas është dhënë lidhur me ngjarjen e datës 9 janar 2004, të ndodhur në Vlorë, ku në tentativë për t'u larguar në Itali me anën e një gomoneje, gjetën vdekjen 19 shtetas, ndërkohë që të 8 të tjerë rezultojnë të zhdukur.





