DURRES Arrestimi i 24 vjeçarit durrsak, Edjon Abazi, i arrestuar nga policia e Kakavijës nën akuzën e trafikimit jashtë vendit të veprave të artit ka tronditur jo pak prindërit e tij. Ankthit për ndalimin e të birit i shtohet edhe akuza absurde sipas prindërve të Edjonit e trafikimit të sendeve të vjedhura.

E ëma e 24-vjeçarit, Zhaneta Abazi, shprehet se ka mbetur e shokuar kur ka dëgjuar në media për ndalimin e të birit në Kakavijë. Ajo shprehet se objektet, që Edjoni i kishte me vete ishin dhuratë për një mikun e tyre në vendin fqinjë dhe kurrsesi nuk janë të vjedhura, por familja disponon faturat për secilën prej tyre. 

Në një intervistë për Durrëslajm.com, Zhaneta shprehet se burri i saj ka liçensë për tregtimin e objekteve antike e të vjetra dhe ata disponojnë faturat përkatëse për secilin objekt, qoftë për ato që policia e Kakavijës i sekuestroi Edjonit, qoftë dhe për ato që policia e Durrësit gjeti brenda në shtëpi dhe në oborrin e tyre.

Ajo shpreson që keqkuptimi që ka ndodhur me të birin të zgjidhet sa më shpejt dhe nuk nguron të të vërë përpara një mori faturash dhe dokumentesh të tjera që provojnë blerjet e objekteve të ndryshme nga burri i saj, Petrit Abazi. Babai i Edjonit, Petriti, ka që në vitin 2004 që merret me këtë tregti dhe sipas Zhanetës të gjitha objektet i ka me dokumentacion të rregullt.

Djali juaj u ndalua sepse ju gjetën me vete disa vepra arti, që po tentonte t’i kalonte në Greqi. A janë të vjedhura objektet dhe pse i kishte marrë Edjoni me vete?

Ajo për të cilën e akuzojnë djalin tim është absurde. Pikë së pari dua të sqaroj se objektet që i janë bllokuar Edjonit i kemi blerë dhe nuk i kemi vjedhur askund. Ia kemi blerë një shtetasi kosovar. Këtë mund ta vërtetoj edhe me faturat e blerjes. I kam të gjitha aty. Bashkëshorti im është tregtar dhe çdo gjë e blen me faturë. Edjoni ishte nisur për në Greqi, për të takuar disa të afërm tanë. Atje kemi një mikun tonë që është qejfli i gjërave antike dhe djali i mori me vete duke menduar t’ia bënte dhuratë atij. Djali nuk e ka idenë e këtyre gjërave, pasi me shitjet-blerjet merret i ati, që ka dhe liçencë për këtë punë dhe vite që e ushtron këtë profesion.

Kur ka nisur ta ushtrojë këtë profesion burri juaj?

Bashkëshorti ka që nga viti 2004 që merret me këtë punë. Kudo që shkojmë, nëse shikon ndonjë gjë interesante e ble. Me këtë punë merret ai, prandaj dhe siç e patë kemi gjithë ato objekte antike dhe të vjetra në shtëpi.

A keni fatura për objektet që ju kapën Edjonit dhe për këto që keni në shtëpi?

Gjithçka që im shoq ka blerë e ka marrë me faturë. Erdhi policia dhe ekspertët për kontroll në shtëpi, i kontrolluan të gjitha një për një dhe më pas u larguan qetësisht, pasi çdo gjë ishte e rregullt. Shpresoj që ky keqkuptim të sqarohet sa më shpejt dhe të dalë në shesh e vërteta. Im bir nuk ka vjedhur ndonjë gjë, siç u përfol në media.