MYNIH – Borxhi i Shqipërisë është jashtë çdo problemi serioz. Kështu është shprehur kreu i qeverisë, Sali Berisha, duke iu referuar debatit të zhvilluar në Konferencen e 49 për Sigurinë që po mbahet në Mynih të Gjermanisë.
“Në Mynih, në Konferencën e 49 për Sigurinë, çështja e parë që u debatua ishte kriza ekonomike e Eurozonës. Ministri i Financave të Gjermanisë theksoi se borxhet publike mbi dyfishin e GDP-së janë problematike. Z. Schauble u shpreh me optimizëm për zhvillimet në vazhdim dhe theksoi se duhet të bëjmë më shumë për kompetitivitetin. Debati, por dhe diskutimet me zyrtarë dhe ekspertë të shquar, ishin shumë vlerësuese dhe inkurajuese për ekonomine tonë”- shkruan kryeministri Berisha në faqen e tij në Facebook.
Duke u bazuar në këtë vlerësime, Berisha thekson se borxhi i Shqipërisë prej 60% te GDP-se është jashtë çdo problemi serioz.
“Vendimet e fundit të qeverisë si heqja e TVSH për makineritë, heqja e tatimit mbi të ardhurat personale dhe përdorimi i dividentit për krijimin e kompanive të biznesit social, janë reformat më të rëndësishme që do të bëjnë shumë me konkurruese ekonominë tonë, do të nxisin investimet direkte, rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës”- përfundon Berisha.
Gjatë qëndrimit te tij ne Mynih, Kryeministri, Sali Berisha pritet të takohet me personalitete të ndryshme pjesëmarrës në këtë Konferencë të përvitshme.





