DURRES – Currila është një nga zonat më të frekuentuara të qytetit të Durrësit. Shumë durrsakë e kujtojnë me nostalgji, pasi ai ishte plazhi i preferuar i tyre. Por rrëshqitjet e dheut nga Kodër Vila dhe ndërtimet pa kriter në buzë të detit e kanë shkatërruar jo pak plazhin e dikurshëm.

Megjithëse shirat janë ndalur prej mëse një jave fotot e shkrepura sot nga Durrëslajm.com tregojnë më së miri se si vazhdon të shkatërrohet një nga zonat më të bukura të qytetit. Faqja e kodrës tashmë është zhveshur fare nga gjelbërimi, çka favorizon fenomenin e erozionit që po bëhet i pandalshëm.

Nëse nuk do të ndërhyhet brenda një periudhe të shkurtër kohore, dherat që sot zënë një pjesë të rrugës dhe në kohë me reshje e bllokojnë tërësisht një kah të rrugës, nuk do të jetë e largët dita që do të përfundojnë deri tek lokalet e ngritura buzë rrugës, madje deri në det.