TIRANE – Gjykata e Tiranës zbardh vendimin e dënimit me gjobë të dy djemve homoseksualë, 27 dhe 28 vjeç, që prostituonin në orët e vona në qendër të kryeqytetit. Në verdiktin e arsyetuar paraqitet edhe dëshmia e klientit të homoseksualëve në momentin e arrestimit të tyre në flagrancë nga policia. Në deklarimin e dhënë gjatë hetimeve, klienti ka rrëfyer se dy të pandehurit kishin paraqitjen e femrave dhe se ai kishte kuptuar se kishte të bënte me meshkuj kur njëri prej tyre kishte hequr minifundin. Vendimi në ngarkim të të pandehurve me iniciale E. B. dhe V. N. u shpall më 21 janar në Gjykatën e kryeqytetit. Ata u deklaruan të fajshëm për akuzën e “prostitucionit” dhe u dënuan me nga 100 mijë lekë gjobë. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, atyre iu ul një e treta e shumës së gjobës, të cilën duhet ta paguajnë brenda 6 muajve. Sipas vendimit të Gjykatës, episodi i ushtrimit të prostitucionit nga dy homoseksualët është shënuar më 10 gusht 2012 te Rruga e Dibrës, mbrapa hotel “Tirana”.

DËSHMIA E KLIENTIT 

Në gjykimin e dy homoseksualëve të akuzuar për “prostitucion” është administruar deklarimi i Gj. B., klientit të gjendur me ta në momentin e ndalimit. “Më datë 10.08.2012, rreth orës 22:00 kam ardhur nga Tropoja në Tiranë dhe kam zbritur në qendër, tek Ushtari i Panjohur. Më pas kam hyrë në një lokal për të ngrënë akullore dhe nga lokali kam dalë rreth orës 23:00. Kam vazhduar rrugën në drejtim të hotel ‘Tiranës’, pasi do të merrja një taksi me qëllim për të shkuar në banesë. Te një rrugicë në anën e pasme të hotel ‘Tiranës’, gjatë kohës që unë po udhëtoja më këmbë, kam takuar dy persona, në dukje dhe në paraqitje fizike dukeshin si femra, dhe më kanë kërkuar që unë t’u jepja një cigare.

Pasi u kam dhënë cigare, më kanë kërkuar që unë të kryeja marrëdhënie me ta. I kam pyetur se sa e kishin pazarin dhe me kanë thënë nga 1500 lekë secili. Unë kam rënë dakord për shumën e lekëve që do t’u jepja dhe të tre kemi shkuar mbrapa një lokali. Në momentin që kemi shkuar unë i kam dhënë shumën e lekëve të kërkuar prej tyre. Sapo kam filluar të heq rripin e pantallonave, një prej tyre ka nxjerrë një perzervativ. Ndërsa tjetri, sapo ka ngritur minifundin, kam konstatuar se këta dy persona nuk ishin femra, por ishin transvestitë. Pas dy apo tre minutash, te vendi ku gjendeshim ne është afruar një patrullë policie, e cila ka kryer shoqërimin tonë në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3. Nuk i kam njohur fare personat e mësipërm dhe që në fillim më janë dukur si femra”, ka deklaruar klienti në dëshminë e tij.