DURRES– Në pikën kufitare të Kakavijës dje u sekuestruan një numër i madh veprash arti, që sipas policisë mund të jenë të vjedhura. Edjon Abazi është emri i personit të arrestuar në pikën e kalimit kufitar me akuzën e trafikimit të veprave të artit.

I ndaluari nga policia në Kakavijë është banues në Durrës dhe ka lindur në 1989. Ministria e Kulturës e cila është informuar nga policia, ka thënë se në makinën dhe në bagazhet e të arrestuarit janë gjetur objekte që hyjnë në kategorinë e sendeve që janë pjesë e trashëgimisë kulturore.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në bagazhet e pasagjerëvë që udhëtojnë në makina të vogla në drejtim të shtetit grek, një shtetasi nga Tirana pasagjer në një autoveturë në çantën e tij iu gjetën vepra të kulteve fetare , si kryq, piktura , pjesë të ikonostasit , të epitafit.

Policia e Durrësit ka kryer një kontroll në banesën e shtetasit Edjon Abazi, duke sekuestruar disa qypa, blloqe gurësh e kolona mermeri antike. 

Kështu, bëhet me dije se gjatë operacionit, janë sekuestruar 16 qypa mesjetarë të madhësive të ndryshme, 11 kolona mermeri antike dhe një prej graniti. Ndër të tjera janë gjetur edhe 25 copë blloqe gurësh antikë dhe një kornizë mermeri. 

Policia e Durrësit, saktëson se mes objekteve të sekuestruara ka edhe 29 copë amfora e fragmente të sekuestruara. Blutë e qytetit bregdetar po hetojnë mbi origjinën e këtyre veprave, ndërsa pritet edhe dëshmia e personit që i mbante në banesë.