GJERMANI– Shkaktari i tragjedisë familjare në Neumarkt të Gjermanisë, ku u vranë babë e bir, dyshohet se është dhëndri i tyre. Ai nuk pajtohej me faktin se ishte ndarë nga bashkëshortja, prandaj në shenjë hakmarrjeje i vrau babain dhe vëllain. B.Rama dhe R.Rama janë me prejardhje nga Podujeva dhe prej shumë vjetësh së bashku me familjen jetonin në Gjermani.

Kishte ikur nga spitali psikiatrik dhe menjëherë kishte shkuar te familja e ish-bashkëshortes së tij. 43 vjeçari nga Kosova dyshohet se ka vrarë babain dhe vëllain e ish gruas. B. Rama dhe R.Rama janë gjetur të vdekur në banesën e tyre në qytezën Neumarkt të Gjermanisë.

Ata dyshohet se i vrau ish-dhëndri, i cili po ashtu është plagosur gjatë konfliktit që kishte me miqtë e tij. Policia e qytetit Regensburg bën të ditur se ky 43 vjeçar një ditë më pare i kishte telefonuar policisë, duke kërcënuar se për shkak të problemeve familjare do të bënte vetëvrasje duke u hedhur nga një shkëmb te rrënojat e kështjellës Wolfstein. Si shkak për këtë veprim ai kishte përmendur problemet familjare.

Policia e kishte parandaluar vetëvrasjen e tij dhe ai ishte paraqitur në spital për terapi. Por vetëm një ditë më vonë, ditën e krimit, (më 29 janar) 43 vjeçari kishte ikur nga spitali. Policia njofton se të martën pasdite ka marrë një telefonatë nga i dyshuari për një plagosje në Neumarkt.