VLORE– Një 37-vjeçar nga Vlora ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra nga vetëdjegia me benzinë.

Sipas burimeve policore, Fatmir Hysi, 37 vjeç, banor i lagjes “24 Maji” është vetëdjegur me benzinë në prani të familjarëve të tij. 

I riu vuante prej kohësh nga depresioni dhe kjo kishte qenë hera e katërt që tentonte t’i jepte fund jetës.

Familjarët e tij janë përpjekur t'i japin ndihmën e parë dhe e kanë dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Vlorës.

Mjekët kanë konstatuar se 37-vjeçari ka pasur dëmtime të rënda të organeve të brendshme dhe djegie gati në të gjithë trupin.

Me gjithë përpjekjet e bluzave të bardha Hysi nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë pak orë pas mbërritjes në spital.