TIRANE – Arrestimi i tre shqiptarëve në Jemen për trafik armësh ka sjellë edhe reagimin e ambasadorit shqiptar në Arabinë Saudite, që po kujdeset nga afër për këtë çështje. Ambasadori ynë në Arabinë Saudite dhe Jemen, Admirim Banaj u shpreh për “Gazeta Shqiptare” se, aktualisht është duke u marrë me këtë çështje, edhe pse ende nuk ka një njoftim zyrtar nga ana e autoriteteve jemenase për arrestimin e detarëve shqiptarë. Sipas tij, vetë situata në Jemen, për shkaqe administrative, si edhe për shkak të relievit aspak të përshtatshëm, nuk e ka lehtësuar komunikimin me këtë shtet. Mediat jemenase prej disa ditësh kanë publikuar lajmin se një anije e ngarkuar me municion dhe armë, nisur nga Mali i Zi është kapur në portin e Al Mukallës, në bregdetin e Jemenit. Ajo drejtohej nga tre shqiptarë, dy indianë dhe një grek, të cilët janë arrestuar për trafik armësh. Sipas agjencive të lajmeve, anija u nis më 17 korrik të vitit që kaloi dhe në 16 dhjetor ndaloi në portin e Al Mukallës, në Jemen, për furnizim me karburant, ndërsa në bord kishte 180 tonelata armatim dhe eksploziv me destinacion portin e Um Kasrit në Irak.
 

Z.ambasador, meqë ambasada jonë po merret me çështjen e arrestimit të tre shqiptarëve në Jemen, a ka ndonjë detaj rreth kësaj historie?

Dua t’ju vë në dijeni se të gjitha faktet dhe detajet rreth kësaj ngjarjeje, ne ia kemi përcjellë Ministrisë së Jashtme. Di të them se unë nuk jam njoftuar zyrtarisht për gjyqin e sotëm, kam njoftuar ambasadën e Jemenit, sepse ajo është kanali ynë diplomatik, që të na informojë për gjendjen e detarëve shqiptarë dhe po pres që të më raportojnë. Por për arsye administrative dhe sigurie për shkak të gjendjes në Jemen, ende nuk jemi njoftuar. Ata kanë vështirësitë e tyre, sepse këtu nuk kanë as ambasador, kanë vetëm një konsull, i cili nuk e ka shumë të lehtë që të shpejtojë procedurat. 
 

A ju kanë vënë në dijeni autoritetet jemenase, se çfarë akuzash rëndojnë mbi shqiptarët e arrestuar? A janë të vërteta akuzat e trafikimit të paligjshëm të armëve?

Unë zyrtarisht nuk kam asnjë prononcim nga ana e Jemenit dhe nuk mund të spekuloj mbi asgjë. Ne jemi njoftuar përmes një emaili nga ambasada jonë në Athinë dhe kemi filluar procedurat tona. Kemi futur në përdorim instrumentet që kemi në atë rajon. Është pak terren i vështirë, për shkaqe administrative, si edhe për shkak të relievit që na e vështirëson komunikimin. Ndërkohë u është kërkuar autoriteteve jemenase që të lejohen edhe përfaqësuesit shqiptarë për të ndjekur këtë çështje dhe ne po presim që të na japin detaje dhe fakte rreth saj.