DURRES – Dy shtetas kanë humbur jetën ditën e djeshme në harkun kohor të 2 orëve distancë nga njëri tjetri dhe të dy për të njëjtin shkak, vethelmim me fostoksinë. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se dy meshkuj nga rrethi i Durrësit kanë humbur jetën mesditën e së martës në spitalin Nënë Tereza në Tiranë, ku ishin dërguar për mjekim më të specializuar.
Bujar Bodlli, 53 vjeç, banues në fshatin Rreth Komuna Xhafzotaj Shijak dhe Fiqeri Çyrbja, 49 vjeç, banues në Katund i Ri Sukth megjithëse kanë marrë ndihmën mjekësore më parë në spitalin rajonal dhe më pas në Tiranë janë ndarë nga jeta, pasi organizmi i tyre nuk ka mundur t’i bëjë ballë helmimit.
Policia e Durrësit konfirmon se në të dyja rastet bëhet fjalë për vethelmim. Mendohet se depresioni mund t’i ketë shtyrë dy burrat në moshë të mesme t’i jepnin fund jetës me anë të fostoksinës.
Pak ditë më parë, duke parë numrin e madh të vetvrasjeve me fostoksinë, Ministria e Bujqësisë deklaroi se do të ndalojë shitjen e saj në treg të hapur dhe nga persona që si përkasin fushës së veterinarisë. Vitet e fundit pesticidi që përdoret në bujqësi për spërkatjen e pemëve është përdorur kryesisht nga femrat si mënyrë për t’i dhënë fund jetës.
Tregu i pesticideve në vendin tonë do të mbyllet, ose do të limitohet vetëm për një kategori të caktuar personash që i përdorin këto lëndë për qëllime bujqësore. Të gjithë ata që duan ta përdorin fostoksinën për nevoja bujqësore do duhet të kalojnë procedura të forta deri në sigurimin e kësaj lënde.





