BRUKSEL – Ministrja Bregu mori pjesë në Konferencën e 3-të të PPE mbi Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmen e tij në BE, e cila u mbajt në Bruksel. Sipas zyrës së shtypit të MIE, në fjalën e saj drejtuar pjesëmarrësve në takim, ministrja Bregu konfirmoi vullnetin e padiskutueshëm të 94 % të shqiptarëve për t’u integruar në BE, prezantoi arritjet e pamohueshme në kuadër të këtij procesi, duke përfshirë dhe arritjet në fushën ekonomike dhe theksoi rolin e Shqipërisë në rajon për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. 

Ministrja Bregu nënvizoi gjithashtu se në vitin 2012 Shqipëria plotësoi 117 nga 120 masa të përcaktuara në bashkëpunim me Komisionin në Planin tonë të Veprimit për plotësimin e 12 prioriteteve të Opinionit të Komisionit. Ajo theksoi se u votuan ndryshimet në ligjin zgjedhor sipas propozimeve të opozitës dhe u hoq imuniteti i zyrtarëve të lartë me një konsensus ndërpartiak. 

Gjatë vitit të fundit, informoi Ministrja, ndër të tjera, u sekuestruan 2 deri në 3 herë më shumë lëndë narkotike, u sekuestruan 44% më shumë pasuri kriminale, u miratua një Strategji për të drejtat e pronësisë, e cila u mbështet nga partnerët tanë ndërkombëtarë, u bënë publike regjistrime të seancave gjyqësore në 32 gjykata. 

Nga ana tjetër, Ministrja Bregu shprehu keqardhjen e saj se pavarësisht përpjekjeve tona, ky është viti i tretë radhazi që Shqipëria nuk mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE e se procesi i integrimit në BE ka mbetur ende peng i një pakice bllokuese. 

Ndërkohë, organizatorë e të ftuar të konferencës shprehën qartë vullnetin e tyre dhe të institucioneve europiane që përfaqësojnë për të mbështetur avancimin e Shqipërisë brenda qershorit 2013 në rast se realizohet votimi i tre nismave të vendosura si kusht nga Komisioni Europian në Progres Raportin e tetorit 2012. 

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, u anagazhua në emër të Komisionit për të shkruar një raport tjetër për Shqipërinë në pranverë në rast se plotësohen tre kushtet e mbetura. 

Në këtë konferencë ishin të pranishëm kryetari i PPE në Parlamentin Europian, Joseph Daul, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, kryetari i Komisionit të Jashtëm të PE, Elmar Brok, kryetari i Delegacionit të PE për Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan, kreu i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Riccardo Migliore, përfaqësues të lartë të qeverive të Maqedonisë, Bosnjës, Kroacisë dhe Serbisë, etj.