AFGANISTAN– Një lajm çnjerëzor vjen nga Afganistani. Gazetarët amerikanë kanë zbuluar fakte tronditëse sipas të cilave bandat e opiumit në këtë vend po marrin fëmijët e fermerëve si kolateral për borxhet e papaguara. Dokumentari “Gratë e Opiumit” i rrjetit amerikan PBS bazohet në histori të vërteta si ajo e një fermeri të cilit iu pre koka me brisk pasi nuk mund të paguante borxhet dhe për më tepër nuk ua dha vajzën trafikantëve për të shlyer borxhin.
Fermerët marrin borxh nga trafikantët e drogës për të kultivuar opium, që përdoret për heroinën, por mbeten në pikë të hallit pasi forcat e mbështetura nga NATO shkatërrojnë bimët e tyre. Për të kompesuar lekët e humbura, trafikantët e drogës u marrin fëmijët, përfshi vajza 10 vjeç, dhe i shesin në Pakistan ose Iran për seks ose i përdorin si mushka për transport droge.
Gjithashtu në dokumentar tregohet edhe historia e një vajzë 6 vjeç, që rrezikon të dorëzohet tek trafikantët në shkëmbim të babait të saj, që është marrë peng nga kriminelët pasi nuk ka paguar dot.
“Ju lutem, jepuni çfarë të duan, ky vend është shumë i keq”, thuhet në mesazhin e babait të marrë peng dërguar familjes. Dhe nëna as nuk ia hedh dot sytë të bijës pasi duhet ta japë nëse do që i shoqi të kthehet i gjallë.