DURRES– Një ditë pasi mediat bënë të ditur faktin se tre marinarë shqiptarë ishin arrestuar prej mëse një muaji në Jemen, familjarët e kapitenit të anijes Eos zgjedhin të heshtin, duke refuzuar çdo lloj komunikimi me median. Megjithë insistimin e Durreslajm.com për t’i takuar familjarët e Arif Bekollarit, kapitenit durrsak, që banon në një apartament të një pallati shumëkatësh pranë Poliklinikës Qendrore, asnjë prej tyre nuk ka pranuar kontaktin me median.
Duket se ata i tremben faktit se mediatizimi i kësaj çështjeje mund të përkeësojë edhe më tepër situatën e familjarit të tyre, i cili nesër së bashku me dy marinarët e tjerë shqiptarë pritet të dalë para trupit gjykues. Që pas arrestimit, shqiptarët u përballën për herë të parë me gjykatën jemenase ditën e hënë, ndërkohë që seanca e rradhës është lënë për të mërkurën.
Shqiptarët rrezikojnë të dënohen me burg, pasi akuza që rëndon mbi ta është e rëndë. Por ndërsa refuzojnë të tregojnë më shumë detaje nga komunikimi me familjarin e tyre, të afërmit e Bekollarit pranojnë se ambasada shqiptare atje nuk është interesuar fare për fatin e tre shtetasve të saj, që prej disa javësh janë në burgjet jemenase.
Kapiteni Arif Bekollari, së bashku me dy shqiptarët e tjerë, oficerin e parë Mihal Cangonji dhe kryemekanikun Nezir Shahaj, si dhe dy shtetas indianë dhe një grek u arrestuan në datë 18 dhjetor të vitit të kaluar në Al-Mukalla, Jemen. Marinarët shqiptarë drejtonin një anije me flamur të Maldiveve, “EOS”, ngarkesa e të cilës ishte 180 tonë armatim dhe municione. Anija e ngarkuar me municion dhe armë ishte nisur nga Greqia, është ndalur në Durrës dhe më pas në Mal të Zi ku ka ngarkuar sasinë e armatimit, të prodhimit serb. Mbi tre shqiptarët dhe tree shtetasit e huaj rëndon akuza trafik i paligjshëm armësh.
Destinacioni përfundimtar i anijes EOS ishte porti i Um Kasrit në Irak. Sipas mediave jemenase, ndalimi është bërë pasi ngarkesa e madhe me armatime dhe eksploziv bie në kundërshtim me ligjet e Jemenit si edhe me konventat ndërkombëtare.





