RUSI – Rusia është kundër çdolloj ndryshimi të kufijve në Ballkan dhe Evropë. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov u ka bërë thirrje vendeve të Evropës, veçanërisht Shqipërisë, që të shmangin ndryshimet e kufijve dhe të shohin parimet bazë të Aktit të Helsinkit. Një përgjigje të tillë, Lavor ka dhënë pasi u pyet mbi një konflikt të mundshëm në Ballkan gjatë një konference për shtyp.
“Sa i takon çështjes së ndryshimit të territoreve në Evropë, do të doja të thoja se të gjitha shtetet duhet të kenë parasysh parimet bazë të Deklaratës së Helsinkit”, deklaroi Lavrov.
Lavrov u pyet mbi deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha për bashkimin e “Shqipërisë së Madhe". “Ballkani sapo ka derdhur shumë gjak, mendoj se askush nuk dëshiron që ky skenar të përsëritet”, theksoi ministri i Jashtëm i Rusisë.
Një deklaratë të tillë Lavrov e bëri në konferencën për shtyp pas takimit me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Poposkim, që u mbajt sot në Moskë.
Shqipëria është një nga dy vendet e vetme të Evropës që nuk e ka nënshkruar deklaratën e Helsinkit që ishte akti final i Konferencës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, mbajtur me 1 gusht 1975. Deklarata është firmosur nga 35 shtete përfshirë SHBA-në, Kanadanë dhe të gjitha vendet e Evropës përveç Shqipërisë dhe Andorrës.





