PISTOIA – Karabinierët e Pistoias, Itali, kanë arrestuar tre shqiptarë të akuzuar si pjesëtarë të një grupi që mban autorësinë e grabitjes së një vile të enjten e kaluar. Gjatë grabitjes u plagos djali 35 vjeçar i të zotërve të vilës dhe shërbyesja rumune, 45 vjeçare.

Sipas policisë italiane dy nga të ndaluarit, një 36 vjeç dhe një adoleshent 16 vjeç, emra e të cilëve nuk bëhen të ditur janë autorët e grabitjes. Ndërkohë 36 vjeçari tjetër i ndaluar akuzohet se ka marrë pjesë janë fazës së përgatitjes për grabitjen e vilës. 35 vjeçari italian, i cili u rrah nga grabitësit shqiptarë është ende i shtruar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ngjarja

Sipas policisë italiane grabitja u regjistrua ditën e enjte në një vilë të izoluar në periferi të Pistoias. Në orën 6 të mëngjesit një bandë e përbërë nga 3 shqiptarë është futur në vilën e Francesco Gangalepërmes derës së lënë hapur nga shërbyesja që po i hidhte ushqim qenit. Pasi kanë hyrë brenda, njerëzit e maskuar dhe të armatosur kanë rrahur djalin e pronarëve të vilës, Gianmaria, të cilit i kanë kërkuar t’u tregonte ku ndodhej kasaforta. Më pas kanë lidhur shërbyesen dhe kanë zbuluar vendndodhjen e kasafortës. Për ta bindur 35 vjeçarin italian t’u dorëzonte çelësat ata i kanë shkaktuar prerje të shumta në shpatulla dhe në fyt, por as Gianmaria dhe as shërbyesja nuk i kishin çelësat. Pas kësaj ata kanë arritur që të hapin me forcë kasafortën nga e cila kanë rrëmbyer bizhuteri dhe rreth 8000 euro.

Pasi kanë realizuar qëllimin e tyre ata janë larguar me një mjet i cili rezultonte i vjedhur rreth 20 ditë më parë. Vetëm sot policia italiane arriti t’u vinte prangat shqiptarëve grabitës.