TIRANE – Infermieri që u dhunua pak ditë më parë nga një pacient në Qendrën Spitalore Nënë Tereza tregon momentet e ngjarjes. I ftuar në emisionin “Me Zemër të Hapur”, infermieri Ruzhdi Merja, i cili ka dalë nga spitali vetëm një ditë më parë, shprehet se shtetasi Dorian Brauka ishte nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes dhe nuk kishte kriza veshkash. Sipas zotit Merja, pacientit i ishte kërkuar të priste edhe disa minuta për bombardimin e gurëve në veshka, për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
“Ishte një dite e zakonshme. Një ditë më parë patëm një avari në energjinë elektrike dhe mbeten dy pacientë pa u trajtuar. Ditën tjetër patëm një urdhër që aparaturat për gurët në veshka të mos ndizeshin deri në normalizimin e situatës së energjisë, sepse procesi mbetej përgjysmë. Pacienti ka qenë i dehur. I bëmë të ditur se do të trajtohej i pari, kur të rifillonte puna. I dhashë edhe numrin tim pacientit dhe ai më telefononte shpesh por unë i përgjigjesha se nuk kishte ende një urdhër të ri për ndezjen e aparaturave. Pasi kalojnë 10 minuta nga telefonata e fundit që më bëri, më thotë do vi të të takoj. Aty me goditi me një karrige hekuri në kokë. Në momentin e dhunimit ka qenë veti i dytë dhe të dy me kanë goditur. Me kanë goditur sikur të kishim ndonjë hasmëri, por nuk njiheshim fare, thjesht do ndiqja procedurën. Ishte hera e parë që e takoja. Pacienti nuk ishte në gjendje të mirë psikologjike. Ai vazhdonte të pinte, nuk kishte kriza në veshka. Dhe ndodhi ajo që ndodhi. Goditjet mund të ishin dhe më fatale.”- shprehet infermieri Merja.
Më tej, infermieri shpjegon se është ende nën mjekim, pasi ka në kokë një hematomë të brendshme të shkaktuar nga goditja me karrige hekuri.





