ITALI – Ndahet nga jeta 45-vjeçari shqiptar, Artan Meta. Ditën e premte emigrant shqiptar u rrah për vdekje dhe u ofendua rëndë nga një i ri Italian, 18 vjeç, me të cilin debatoi për arsye banale. Një ditë më parë vëllai i Artanit, Arben Meta, kërkoi që drejtësia të vihej në vend. Arbeni deklaroi se italiani 18 vjeçar, Nicholas Melis, ishte i lirë, ndërkohë që Artani ishte në gjendje kome prej tre ditësh në spital. Artan Meta humbi jetën në Villasor të Italisë.
Baristi shqiptar ishte mjaft i njohur në komunitetin e zonës dhe gëzonte një reputacion shumë të mirë. Lajmi i vdekjes së tij ka shokuar të gjithë komunitetin atje. Durreslajm.com e ka pasqyruar ditë pas dite gjendjen e rëndë shëndetësore të emigrantit shqiptar dhe reagimin e familjarëve të tij dhe shtypit italian.
Së bashku me dy vëllezërit e tij që jetojnë në Gjenovë, Artani kishte rreth 22 vite që kishte emigruar drejt Italisë. Siç njoftojnë mediat në Itali, mjekët kanë bërë gjithçka për t’i shpëtuar jetën, por dëmtimet e mëdha që kishte marrë në kafkë, e bënë të pamundur mbijetesën e tij.
Të enjten e kaluar, 45-vjeçari i kishte kërkuar të riut Nicholas Melis, të mos qëllonte distributorin e shpërndarjes së cigareve në lokal. I inatosur sepse makineria nuk po i kthente reston italiani e ka shfryrë zemërimin e tij ndaj shqiptarit 45 vjeçar. Fillimisht, 18 vjeçari Nicholas Melis u akuzua nga policia për lëndime të rënda trupore, por tashmë ai pritet të përballet me akuzën për vrasje.





