DURRES – Një ditë pas ngjarjes së rëndë që i mori jetën një kambisti në Durrës, policia e qytetit bregdetar nuk ka arritur ende të identifikojë dy personat që i morën jetën 46 vjeçarit Fatmir Kotarja. Gjatë natës së mbrëmshme dhe gjatë ditës së sotme janë shoqëruar për në komisariatin e policisë 62 persona, të cilët pasi kanë dhënë dëshmitë e tyre janë lënë të lirë. Drejtuesit e policisë së Durrësit janë të kursyer në deklarata, por theksojnë se po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Policia e Durrësit së bashku me Prokurorinë janë duke vazhduar veprimet hetimore që mund të çojnë drejt zbardhjes së identitetit të autorëve të krimit të rëndë që tronditi opinionin publik durrsak ditën e dielë. Gjatë natës, efektivët e policisë kanë ushtruar kontrolle në ambiente të ndryshme, si lokale, restorante, shtëpi banimi etj.
Policia konfirmon përmes një njoftimi të saj zyrtar se gjatë kontrolleve të një nate më parë kanë ndaluar shtetasin Zakarel Zaka, 34 vjeç, banues në lagjen nr.6, të cilit i janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 pushkë model 56 kalibër 7.62mm, 1 revolver me mulli dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh e llojeve të ndryshme. Mbi shtetasin në fjalë rëndon akuza “armëmbajtje pa leje e municioneve ushtarake”.





