TIRANE- Drejtësia “dorëzohet” përpara Dritan Dajtit. I akuzuari për vrasjen e katër oficerëve të skuadrës speciale operacionale në vitin 2009 ka “ngërthyer” keqas Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila po shqyrton dosjen penale të tij. Pesëshja gjykuese firmosi të enjten shtyrjen e seancës së 139 për shkak të mungesës së avokatëve të caktuar për të mbrojtur autorin e masakrës së 7 gushtit 2009.
Dy avokatët e caktuar kryesisht nga gjykata, për shkak se Dritan Dajti ka mbetur pa mbrojtje, nuk u paraqitën në gjykatë. Mbrojtësit ligjorë, Jordan Bulku dhe Jetmir Bilali u caktuan në seancën e së mërkurës të javës që lamë pas për të mbrojtur interesat e Dajtit, pasi avokatët e caktuar më parë nuk ishin paraqitur. Por gjykata ka shpresuar më kot, pasi asnjëri prej dy mbrojtësve të zgjedhur kryesisht nuk është paraqitur në gjykim, duke detyruar togat e zeza të përsërisin ritualin e përhershëm, shtyrjen e seancës. I kontaktuar nga “GSH” kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni pranoi faktin se Dritan Dajti ka mbetur pa mbrojtje, ndaj ndodhur në këto kushte i janë drejtuar me një shkresë Komisionit për Ndihmë Juridike pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Komisionit i është kërkuar të gjejë një avokat për të mbrojtur të pandehurin Dajti, pasi edhe pse janë caktuar dhjetëra avokatë kryesisht nga gjykata, asnjë prej tyre nuk është paraqitur. Ose dhe në rastet kur kanë ardhur në gjykatë, kanë ikur në seancën e radhës, duke përdorur justifikime nga më të ndryshmet. “Procesi është kthyer në shqetësim. Lidhur me mungesën e avokatëve kryesisht ne u kemi dërguar shkresa, qoftë Ministrisë së Drejtësisë ashtu dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, duke i informuar për situatën e krijuar, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë, ndaj kërkuam ndihmë nga Komisioni për Ndihmë Juridike”, – tha Simoni, duke pranuar se gjykata është në pamundësi për të marrë masa ndaj avokatëve mbrojtës, që “bojkotojnë” proceset, qoftë dhe të zgjedhur kryesisht.
Ndërkaq, numri një i Gjykatës së Krimeve të Rënda pranoi se janë nisur më shumë se 25 ankesa për avokatët, si dhe është kërkuar nisja e procedimeve disiplinore për ta. Në fakt, mungesa e avokatëve apo ndërrimi dhe zëvendësimi i tyre prej vetë Dritan Dajtit, duket se është një strategji që vetë ky i fundit ka zgjedhur për të zvarritur sa më shumë procesin. Precedenti i krijuar nga i pandehuri Dajti është ndjekur dhe më herët në Gjykatën e Krimeve të Rënda, nga të tjerë të akuzuar për krime të rënda, mes tyre dhe anëtarë të bandave kriminale, duke tentuar me çdo kusht, pengimin e marrjes së një vendimi ndaj tyre.





